Nga UNI rreth botës: Hudalfa Bera Dalgin përjeton Erasmus+ në Poloni
Rrëfimi
Të studiosh në një vend tjetër është një mundësi për të parë botën nga një këndvështrim i ri. Përmes programit Erasmus+, studentët e UNI – Universum International College kanë mundësinë të përjetojnë një semestër në universitete ndërkombëtare, të krijojnë lidhje me studentë nga vende të ndryshme dhe të zhvillohen përtej përvojës së zakonshme universitare.
Një nga studentët që përjetoi këtë eksperiencë ishte Hudalfa Bera Dalgin, student i Computer Science në UNI, i cili kaloi një semestër përmes Erasmus+ në Wrocław University of Science and Technology në Poloni.
Gjatë qëndrimit të tij në Wrocław, Hudalfa pati mundësinë të vazhdojë studimet në një ambient të ri akademik dhe të përfitojë nga një përvojë ndërkombëtare në fushën e Computer Science. Por përtej studimeve, jeta studentore në Poloni i dha atij mundësinë të bëhej pjesë e një komuniteti të larmishëm ndërkombëtar.
Një nga pjesët më të veçanta të eksperiencës së tij ishte pjesëmarrja në evente dhe festa ndërkombëtare, ku pati mundësinë të takonte studentë nga vende të ndryshme dhe të krijonte shumë miqësi të reja.
“Erasmus+ më dha mundësinë të takoja njerëz nga shumë vende të ndryshme dhe të krijoja miqësi ndërkombëtare që do t’i kujtoj gjatë. Pjesëmarrja në eventet dhe festat ndërkombëtare e bëri përvojën time edhe më të veçantë dhe më dha mundësinë të përjetoja kultura të ndryshme nga afër.”
Përveç jetës studentore dhe akademike, udhëtimet ishin një tjetër pjesë e rëndësishme e përvojës së Hudalfës. Gjatë semestrit të tij në Poloni, ai pati mundësinë të udhëtojë shumë dhe të zbulojë vende të reja, duke e bërë Erasmus+ një përvojë të pasur me aventura, takime dhe kujtime të reja.
Për Hudalfën, semestri në Wrocław ishte një mundësi për të dalë nga rutina, për të njohur njerëz nga kultura të ndryshme dhe për të përjetuar një nga kapitujt më ndërkombëtarë të jetës së tij studentore. Krahas njohurive të fituara në universitet, ai u kthye me miqësi të reja, eksperienca të paharrueshme dhe një perspektivë edhe më të gjerë mbi botën.
Përmes mundësive të tilla ndërkombëtare, studentët e UNI, një institucion i fuqizuar nga Arizona State University, kanë mundësinë ta bëjnë përvojën e tyre universitare më të pasur, duke mësuar, udhëtuar dhe krijuar lidhje që shkojnë përtej kufijve.

