Nga UNI rreth botës: Fidorela Babatinca tregon përvojën e saj Erasmus+ në Gjermani
Rrëfimi
Për studentët e UNI – Universum International College, mundësitë për të përjetuar një edukim ndërkombëtar janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tyre akademik. Përmes programeve të mobilitetit si Erasmus+, studentët kanë mundësinë të studiojnë në universitete të ndryshme evropiane, të njihen me kultura të reja dhe të zhvillojnë aftësi që i ndihmojnë në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.
Një prej studenteve që e përjetoi këtë mundësi ishte Fidorela Babatinca, studente e Business Management në UNI, e cila përmes programit Erasmus+ qëndroi në Philipps-Universität Marburg në Gjermani.
Gjatë semestrit të saj në Gjermani, Fidorela pati mundësinë të ndiqte ligjërata në universitet dhe të zgjerojë njohuritë e saj në fushën e Business Management. Përvoja në një sistem të ri akademik i dha asaj një perspektivë tjetër mbi mënyrën e të mësuarit dhe e ndihmoi të zhvillohej më tej si studente.
“Ligjëratat që ndoqa gjatë Erasmus+ më ndihmuan të përmirësoj njohuritë e mia dhe të shoh fushën e Business Management nga një perspektivë tjetër. Për mua, ishte një mundësi e veçantë për të mësuar dhe për t’u zhvilluar në një ambient krejtësisht të ri”, tregon Fidorela.
Përveç përfitimeve akademike, qëndrimi në Gjermani i dha Fidorelës mundësinë të përmirësojë edhe gjuhën gjermane dhe të jetë pjesë e një ambienti multikulturor. Duke u rrethuar me studentë nga vende dhe kultura të ndryshme, ajo pati mundësinë të krijojë kontakte të reja, të shkëmbejë përvoja dhe të zgjerojë perspektivën e saj përtej klasës.
“Një nga gjërat që e bëri këtë eksperiencë edhe më të veçantë ishte ambienti multikulturor. Takimi me njerëz nga vende të ndryshme më ndihmoi të jem më e hapur ndaj kulturave të tjera, ndërsa përmirësimi i gjuhës gjermane ishte një tjetër përfitim i madh për mua.”
Për Fidorelën, Erasmus+ ishte më shumë se një mundësi për të studiuar jashtë vendit. Ishte një përvojë që i dha mundësinë të sfidojë veten, të zhvillojë njohuritë e saj dhe të përjetojë nga afër një ambient ndërkombëtar.
Përvojat e tilla janë pjesë e rëndësishme e eksperiencës studentore në UNI, një institucion i fuqizuar nga Arizona State University, ku studentët inkurajohen të përfitojnë nga mundësitë ndërkombëtare dhe të ndërtojnë një perspektivë globale gjatë studimeve të tyre.

