← Erasmus Blog
Erasmus Blog16 nëntor 2026

Nga UNI rreth botës: Edonisa Dautaj përjeton Erasmus+ në Francë në INSA Rouen Normandie

Nga UNI rreth botës: Edonisa Dautaj përjeton Erasmus+ në Francë në INSA Rouen Normandie

Rrëfimi

Gjatë semestrit të fundit, studentja e UNI, Edonisa Dautaj, pati mundësinë të jetë pjesë e programit Erasmus+ në Francë, në INSA Rouen Normandie. Kjo përvojë rezultoi të jetë shumë e rëndësishme për të, si në aspektin akademik ashtu edhe në atë personal.

Gjatë qëndrimit atje, ajo u angazhua në një projekt kërkimor (Research Project) që lidhej me inteligjencën artificiale dhe koordinimin e automjeteve autonome. Fillimisht, përshtatja me një ambient të ri akademik dhe me një mënyrë ndryshe pune ishte sfiduese, por me kalimin e kohës ajo arriti të fitojë më shumë njohuri, të zhvillojë pavarësinë dhe të rrisë besimin në aftësitë e saj.

Duke reflektuar mbi këtë eksperiencë, Edonisa thekson: “Në fillim ishte sfiduese të përshtatesha me një ambient të ri dhe një sistem ndryshe studimi, por kjo përvojë më ndihmoi të rritem shumë si profesionalisht ashtu edhe personalisht.”

Fotografi nga rrëfimi Erasmus+ i Edonisa Dautaj

Përveç angazhimit akademik, jeta në Francë i ofroi mundësinë të njohë një kulturë të re, të takojë njerëz nga vende të ndryshme dhe të përmirësojë komunikimin në gjuhë të huaja. Edhe pse nuk munguan momentet e vështira – sidomos largësia nga familja dhe përshtatja me një vend të ri – këto sfida e bënë përvojën edhe më të vlefshme.

Fotografi nga rrëfimi Erasmus+ i Edonisa Dautaj

Përvoja Erasmus+ në Francë do të mbetet një nga momentet më të veçanta të jetës së saj studentore. Ajo u kthye nga kjo eksperiencë me kujtime të bukura, njohuri të reja dhe një motivim edhe më të madh për të vazhduar zhvillimin e saj akademik dhe profesional.