Reflektim mbi lidershipin nga Mateo Prifti

E konsideroj veten një të ri tejet të zakonshëm por me fat, që kam qenë në momentin e duhur në vendin e duhur. Një zinxhir ndodhish dhe eventesh ka sjellë që të marr pjesë në disa mbledhje, samite dhe organizime që më kanë bërë të dëshmoj akte të vërteta lidershipi dhe ndërveproj me liderë botërorë në biznes, angazhim qytetar dhe politikë.

Si rrjedhojë, këto vitet e fundit kam pyetur veten: Ç’do të thotë lidership i vërtetë?

Një pyetje që besoj gjithkush ja bën vetes, teksa shohim liderët tanë politikë që citojnë dhe riciklojnë fjalimet e njeri-tjetrit deri në zgjedhjet e ardhshme, me shpresën që dhe një mandat i ri do sigurohet duke ushqyer popullin me iluzione.

Si një i ri, dhe i sapo etiketuar si student, në të njejtën gjendje që mbase shumë bashkë, nën dhe mbi-moshatarë të mi ndodhen, – kuptojmë që të bësh lidership ose të jesh lider, nuk do të thotë të zotërosh vetëm një set të dhënash ose aftësish siç mund të mësohet rëndom në edukatë qytetare ose artikuj në internet. Por në vetvete, lidershipi, ose të drejtuarit është një punë. Parimisht, rasti me konkret i një pune lidershipi do të ishte ai që shohim të sintetizuar çdo të enjte në Parlament, sigurisht nëse do ishte bërë siç duhej dhe jo të dukej si ndonjë transmetim live nga ndonjë lokal ku dëshmon kreativitetin e liderëve për të ofenduar dhe ironizuar bashkëpunëtorët e tyre aty në forma nga më banalet e deri te ato më ciniket, ku vetëm shfaqen në pah egot personale dhe natyra e tyre në thelb e brishtë dhe e frikësuar, e cila ngacmohet nga të vërtetat që nganjëherë rrëshqasin “padashje” për njeri-tjetrin. Të drejtosh është një punë që tejkalon retorikën dhe të cituarit.

Fundja, jo të gjithë njerëzit e thjeshtë e kuptojnë politikën dhe të gjithë nivelet e abstraktes që e përbëjnë atë. Ama, pikërisht këto nivele abstrakte nuk duhet të përdoren nga ata që ne vetë i kemi vendosur aty ku janë për të thurur vargje që tingëllojnë bukur në formë premtimesh ose thjesht cinizma dhe ironi që i kupton pas 4 vjetësh që sheh që prapë nuk është bërë asgjë për të qenë vërtet krenar dhe sidoqoftë duhet të humbin jetë njerëzish se nuk dihet ku përfundojnë lekët për mbyllje gropash dhe mungesë sinjalistike në rrugë… por jo, prapë fajin e ka shoferi i dehur gjithmonë.

Më duket gjithmonë e më absurde të marr mundimin të lexoj ose dëgjoj se ç’thuhet nga këta liderët që i kemi shpallur vetë. Sidomos tani, që kuptoj që pas atyre karrigeve, ndodhet diçka shumë më thelbësore dhe e madhe se sa thjesht një post. Vetë mbijetesa e popullit tonë. Si i ri, nuk mund të rri dot pa e adresuar turbulencën që ka kohë që po kalojmë dhe stuhinë që na pret pas saj. Kjo stuhi është botëkuptimi dhe sistemi i ndërtuar rreth tij, që gjërat mund të arrihen pa merituar dhe karriget mund të ngrohen fare thjesht përmes manipulimit, mashtrimit, presionit dhe korrupsionit. Më i paparashikueshëm se çdo gjë tjetër, sidomos kur në dorë i lihet personave që pretendojnë se rindërtuan Shqipërinë pas 25 vjetësh dhe që tani shohin sistemin që ata vetë ndërtuan për gabime dhe gishta tregues, dhe të mesit (logo e viktimës) ja drejtojnë njeri tjetrit dhe neve popullit të thjeshtë. Një lojë ping-pongu deri në riciklim, ku këtë rreth vicioz do ta vazhdojë ndonjë nga studentët e rinj që rekrutojnë në forumet e tyre rinore.

Këto politika na rrezikojnë ne qytetarëve të thjeshtë si brenda dhe jashtë vendit. Shpeshherë ato paragjykime nuk ndodhin vetëm prej stereotipit të temperamentit shqiptar, por edhe prej politikave dhe sistemeve që vetë i kemi ndihmuar të ngrihen dhe tani na janë kthyer kundra, duke u bërë një marketing shumë i keq për ne që siç e kemi dëshmuar për vite me rradhë pengojnë zhvillimin sepse investitorët dhe zhvilluesit e bizneseve na qëndrojnë larg. Dhe tani ka vendosur një brez të tërë në rrezik, ku është induktuar deri në delir pasioni për pushtetin dhe abuzimin që shoqërohet me të.

Për një kohë të gjatë ndihem i zhgënjyer. Sektori publik thotë që ne jemi këtu për të të ndihmuar ty. Në të vërtetë, janë aty për të ndihmuar veten. Por pse ndodh kjo? Kjo ndodh nga dëshira e tyre për t’u rizgjedhur. Dëshira e tyre për të ndejtur në pushtet, eklipson detyrën e tyre për të drejtuar dhe shërbyer. Mund të marr një shembull shumë të thjeshtë se si kryeministri Rama ka ndryshuar komplet zyrën e tij në një formë shumë personale, duke ngjitur në mur artin e tij. Një zyrë, e cila në vetvete është një simbol i detyrës dhe që tregon që pushteti nuk është i përjetshëm. Një zyrë që i shërben vetëm vendit, jo ekspozitë private që në nivel filozofik tregon dëshirën për të qenë i pavdekshëm. Po marr një shembull në dukje shumë banal për të mos u përzjerë me ato nivele abstraksioni dhe të bëj retorikë mbi gjëra që diskutohen pafundësisht përditë në lajme për ato që ai bën. Por kjo duhet të mbarojë sa më shpejt.

Ne e ndërtojmë të ardhmen, nuk na e dhurojnë dot të tjerët. Dhe të mendosh të lëpihesh ose të biesh pre e propagandës politike për t’u bërë pjesë e forumeve rinore nuk është zgjidhje, me shpresën që do të sigurosh një vend pune pavarësisht setit të aftësive që ke. Sepse bëhesh pjesë e riciklimit dhe do vuhet gjithmonë e njëjta gjë. Dhe si ja kanë dalë një tufë të paaftësh të bëjnë për vete kaq shumë ndjekës dhe të luajnë me pasiguritë e tyre? Është e thjeshtë. Të paktën kanë kuptuar që si politikanë nuk kanë për detyrë të ndërtojnë të ardhmen e askujt, por të na sigurojnë mjetet që ne të ndërtojmë vetë të ardhmen tonë. Krijo iluzionin sikur po na jep mjete dhe ajo çfarë ndodh, është njerëz që vijnë vërdallë kot. Pra, ka ardhur koha të mbështesim figura të reja që sjellin ide dhe frymë të re. Persona që i janë larguar këtij sistemi dhe janë shkolluar jashtë në një sistem më funksional, nga i cili e shohin më qetësisht situatën dhe pemët e zgjidhjeve që mund të aplikohen. Vetë ne si popull duhet të kërkojmë mendim dhe të rekrutojmë fytyra të reja si në skenë ashtu dhe në moshë për të kontribuuar në zgjidhjen e gjërave që nuk na pëlqejnë, nëse vërtetë nuk na pëlqejnë. Minimalja fare është që jetojmë në epokën e informacionit dhe në një sistem që po cënohet demokratik. Të jemi në një sistem demokratik është gjysma e rrugës mes tmerrit dhe utopisë, e cila na heq disa pengesa nga rruga. Gjëja vetme që na ngelet është të mos frikësohemi dhe të veprojmë për atë çka është e drejtë.

 

burimi: www.businessmag.al

Rreth autorit

Kolegji Universum

Shënoni komentin tuaj