Ja cilat janë kriteret sesi mund të përfitoni statusin strategjik nga investimet që bëni

Bizneset që marrin statusin e investitorit strategjik kanë përfitime jo të vogla në raport me shtetin, duke filluar nga procedurat e thjeshtuara burokratike e deri tek siguria maksimale juridike. Por si mund të përfitohet statusi i Investitorit Strategjik?

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ka publikuar një manual të posaçëm udhëzues, në të cilin listohen të gjitha kushtet që një biznes duhet të përmbush për të përfituar statusin e investitorit strategjik. Kriteret Në të gjitha fushat e ekonomisë, kriteri përcaktues për të përfituar statusin e investitorit strategjik është shuma e investimit. Por kjo shumë varion nga njëri sektor në tjetrin.

Për bizneset që duan të investojnë në sektorin energjitik, atë të minierave, transporteve si dhe mbetjeve urbane ka dy ndarje shuma minimale e investimit duhet të jetë jo më pak se 30 milionë euro për të përfituar statusin e procedurës së asistuar dhe i barabartë ose më i madh se 50 milionë euro për statusin procedurë e veçantë”. Sipas ligjit, statusi i procedurës së veçantë ofron edhe më shumë privilegje për investitorin privat përfshirë dhe shpronësimin nga shteti të pasurive publike apo private për llogari të tij.

Turizmi dhe bujqësia: Në sektorin e turizmit, statusin e investitorit strategjik të asistuar e përfiton çdo projekt me vlerë mbi 5 milionë euro dhe që në të njëjtën kohë krijon minimalisht 80 vende pune. Për statusin e proçedurës së veçantë, shuma e investimit duhet të jetë e barabartë ose më e madhe se 50 milionë euro. Në sektorin “Bujqësi dhe peshkim” kriteret janë edhe me të lehtësuara.

Bizneset që duan të investojnë në bujqësi mund ta përfitojnë statusin strategjik duke investuar nga 3 milionë euro e sipër, por me kushtin që të krijojnë të paktën 50 vende të reja pune. Ndërsa për të përfituar statusin proçedurë e veçantë investimi duhet të jetë i barabartë ose më i madh se 50 milionë euro. Të gjitha bizneset që marrin statusin e investitorit strategjik asistohen nga një punonjës i caktuar nga Agjencia e Zhvillimit të Investimeve.

Ky asistent, përgatit dokumentet dhe kryen aplikimin administrativ me procedurë të përshpejtuar për llogari të biznesit. Po kështu, investitorët strategjik trajtohen me prioritet, përfitojnë nga programet mbështettëse si dhe nga vënia në dispozicion në e pasurive të paluajtshme shtetërore për zhvillimin dhe realizimin e projekteve investuese strategjike, sipas legjislacionit në fuqi. Në rastin e proçedurës së veçantë privilegjet janë edhe më të mëdha duke përfshirë edhe dhënien e garancisë nga Kuvendi për sigurinë e investimit.

Burimi:www.businessmag.al