Si lindi e-commerce? Historik i shkurtër mbi shitjet online…

E-commerce lindi 40 vite më parë dhe ndryshon përditë me teknologjitë, inovacionet dhe mijëra bizneset që hyjnë çdo ditë në fushën e biznesit online. Konvenienca, siguria dhe eksperienca e përdoruesve të e-commerce është rritur eksponencialisht që nga ngjizja e idesë.

Koncepti i tregtisë elektronike është gjithçka që i referohet të bërit biznes në internet më mirë dhe më shpejt. Ajo i referohet dhënies së aksesit klientëve për të kontrolluar në sistemin kompjuterik të kompanisë për të personalizuar produktin dhe shërbimin sipas dëshirave të tyre dhe për të dërguar produktin dhe shërbimin në kohën e duhur.

Tregtia elektronike (E-commerce) është blerja dhe shitja e mallrave dhe shërbimeve, ose transmetimi i fondeve apo të dhënave në një rrjet elektronik që kryesisht është Interneti.

Një aktivitet tradicional tregtie konsiston në katër elementë kryesorë:

• Ofertimi

• Porosia

• Pagesa

• Shpërndarja

Nëse ndonjë nga këta elementë realizohet online atëherë hyn në lojë tregtia elektronike.
Nëse blejmë një produkt në faqen e internetit eBay.com, porosia dhe pagesa bëhen online, ndërsa marrja e porosisë bëhet fizikisht; apo nëse shkarkojmë një album muzikor nga internet, atëhere të gjithë elementët nga oferta deri tek përfitimi i produktit bëhen online, themi përsëri se kemi të bëjmë me tregti elektronike.

Sipas Zwass (1996) nga mënyra e organizimit të biznesit elektronik për t’iu përshtatur nevojave, ai mund të klasifikohet në bazë të aktorëve që marrin pjesë në transaksione:
• Biznese drejt bizneseve (B2B): në të cilin synohet të realizohen shitjet në tregjet e biznesit;
• Biznese drejt konsumatorëve (B2C): Ku tregu i synuar janë konsumatorët individualë;
• Konsumatorë drejt konsumatorëve (C2C): Në të cilin ka një bashkëveprim të konsumatorëve në ofrimin dhe konsumin e produkteve dhe të shërbimeve;
• Biznese drejt Qeverisë : Në të cilin organizatat ofrojnë produktet dhe shërbimet e tyre në tregjet e qeverisë;
• Tregje hibride; të cilat janë kombinim i modeleve B2B dhe B2C.

Termat e-commerce dhe e-biznes janë zakonisht të përkëmbyeshëm me njëri-tjetrin. E-commerce realizohet duke përdorur një variete aplikacionesh, si e-maili. faksi, katalogjet online dhe karrocat psonisëse (shopping cart), Electronic Data Interchange (EDI), File Transfer Protocol dhe shërbimet e website-ve. Shumica e ndërveprimeve kryesore që ndodhin janë ato midis bizneseve me njëri-tjetrin (business-to-business).

Artikullin e gjeni të publikuar në fq. 19 të nr. 7 të revistës Business Magazine Albania. Revistën mund ta shfletoni të plotë këtu.

Përfitimet kryesore të e-commerce janë inventari i produkteve, shpejtësia e aksesit, një diapazon më i gjerë i përzgjedhjes së mallrave dhe shërbimeve, aksesueshmëri dhe arritja me produktet dhe shërbimet e tua në një treg global. Përsa i përket disavantazheve kryesore të saj, përfshihen shërbimi i limituar i klientit, pamundësia për ta kapur ose prekur produktin para se ta blesh dhe koha që duhet deri në lëvrimin e produktit.

Hapësirat dhe mundësitë për tregtinë elektronike janë në rritje për shkak të përmirësimit në mënyrë të qëndrueshme të qasjeve në infrastrukturën teknike dhe atë të komunikimit. Në ekonominë e zhvilluar globale, tregtia elektronike dhe biznesi elektronik janë bërë gjithnjë e më shumë të nevojshëm për strategjinë e biznesit dhe njëkohësisht një katalizator për zhvillimin ekonomik.

“Për amerikanët, e-commerce është pjesë e pandashme e jetës së tyre. Ditët e sotme, mendimi i të jetuarit pa të, duket thjesht i pakonceptueshëm, i komplikuar dhe jo konvenient për shumicën e tyre.“
Integrimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në biznes, mundëson uljen e kostove të produkteve, përmirësimin e produktivitetit, si dhe nxitjen e pjesëmarrjes më të madhe dhe aktivizimin në masë të konsumatorëve.

Tregtia elektronike nuk ka të bëjë vetëm me përdorimin e teknologjive të reja. Tregtia elektronike gjithashtu mund të ndihmojë duke përmirësuar marrëdhëniet e biznesit dhe në menaxhimin dhe drejtimin në mënyrë më efikase të proceseve. Kjo përfshin krijimin e ndërveprimeve të jashtme më efektive me klientët, bashkëpunëtorët dhe furnizuesit, por ajo gjithashtu mund të përmirësojë efikasitetin e brendshëm të biznesit si dhe shfaqjen e produkteve dhe shërbimeve të reja.

1960-1982
Ai që nisi rrugën drejt e-commercit ishte zhvillimi i Electronic Data Interchange (EDI). EDI, i cili zëvendësoi dokumentat tradicionalë të e-maileve dhe faksit me transferimin dixhital të të dhënave nga një kompjuter te një tjetër. Partnerët në biznes arrinin të transferonin porosi për blerje, fatura dhe tipe të tjera të transaksioneve duke përdorur një format të dhënash ANSI ASC X12, standardi kryesor i formatit asokohe në Amerikën e Veriut.

Sapo dërgohej një porosi, më pas ekzaminohej nga një rrjet VAN (Value Added Networkrrjet me vlerë te shtuar) dhe më pas drejtohej te sistemi i përpunimit të marrësit të porosisë. EDI bënte të mundur transferimin e të dhënave pa ndërhyrjen njerëzore.

Merita e shpikësit i shkon krijuesit, inovatorit dhe sipërmarrësit anglez Michael Aldrich për hedhjen e hapave të parë drejt ‘shoppingut’ online. Ideja i lindi gjatë një shëtitje me gruan e tij dhe qenin e tij Labrador, teksa Aldrich i ankohej asaj për psonisjet e përjavëshme në supermarket. Direkt pas bisedës, Aldrich nisi punën për planifikimin dhe implementimin e e idesë së tij.

Në 1979 Aldrich realizoi lidhjen e një televizori të modifikuar shtëpije, me një kompjuter të proçesimit në kohë reale të transaksioneve nëpërmjet një linje telefonike dhe krijoi atë që u quajt “teleshopping”, të psonisësh nga distanca.

1982-1990
Ishte e dukshme që nga fillimi, se B2B (biznesi-për-biznesin) do të kishte sukses komerçial për shkak të përfitueshmërisë së lartë, por B2C nuk do të ishte kaq e suksesshme deri pas përhapjes në masë të kompjuterave personalë (PC) dhe World Wide Web, që shumë shpejt do të quhej Internet. Më 1982 Franca lançoi paraardhësin e Internetit të quajtur Minitel.

Minitel-e-commerce-businessmag

Ky shërbim online përdorte një makineri që quhej VideoTex, e cila mund të bëhej e aksesueshme nëpërmjet linjave telefonike. Minitel ishte i lirë të telefononte të abonuarit dhe të lidhte miliona përdoruesit me rrjetin kompjuterik.

Deri më 1999, mbi 9 milionë terminalë të tipit Minitel ishin shpërndarë në të gjithë botën dhe bënin të mundur komunikimin e 25 milionë përdoruesve nga e gjithë bota në këtë rrjet të ndërlidhur makinash. Miniteli arriti kulmin e suksesit të tij në 1991 dhe gradualisht ia la fronin Internetit pas suksesit të tij 3 vite më vonë. France Telecom shpalli përfundimisht mbylljen e sistemit të Minitelit më 2011. Fatkeqësisht nuk e pati fatin Internetit, atë që kishte shpresuar që kur u shpik.

Artikullin e gjeni të publikuar në fq. 19 të nr. 7 të revistës Business Magazine Albania. Revistën mund ta shfletoni të plotë këtu.

Nga ‘90 e deri më sot

Më 1990 Tim Berners Lee, bashkë me mikun e tij Robert Cailliau, publikuan një propozim për ndërtimin e një projekti ‘Hypertext’ të quajtur “WorldWideWeb”. Po atë vit Lee krijoi serverin e parë navigues, i cili do të debutonte më 6 gusht të 1991, si një shërbim publik në Internet.

Inspirimi për këtë projekt erdhi pas licensimit të Dynatex SGML nga konsorciumi shkencor i CERN-it në Zvicër.

Libri i vitit 1992, “Future shop: How technologies will change the way we shop and what we buy”, dha një pamje të brendshme dhe parashikimet mbi të ardhmen e konsumerizmit. Hyrja e librit shpjegon:
“Për qindra vite me rradhë tregu është bërë nocion gjithmonë e më tepër kompleks për ‘lundrimin’ e konsumatorëve.”

Publikuar më 1992, shumë kohë më parë se fjala Internet të popullarizohej, Future Shop pranonte se teknologjitë e reja të informacionit, të kombinuara me politika publike inovatore, do t’i ndihmonte konsumatorët të kapërcenin këtë konfuzion. Një manifest i revolucionit që po marshonte të e-commerce, vizionet e Future Shop pasqyrojnë të vërtetën në mileniumin e ri.

Që nga fillimi, pati shumë hezitime dhe shqetësime me shitjet online por që u kapërcyen me zhvillimin e protokolleve të sigurisë si Secure Socket Layers (SSL), çertifikatë enkriptimi nga Netscape në 1994 që përbente një mjet shumë të sigurtë për transmetimin e të dhënave në Internet. Naviguesit e rrjetit (Web Browsers) ishin të aftë të kontrollonin nëse një faqe (Website) kishte çertifikatën SSL të sigurisë dhe bazuar në të, përcaktonte nëse siti ishte i besueshëm apo jo.

/businessmag.al