Qeveria miraton krijimin e Fondit të Sipërmarrjes Turistike

Sipërmarrjet e vogla që operojnë në fushën e turizmit do të kenë një tjetër burim financimi për ngritjen e strukturave të tyre akomoduese, përmirësimin e shërbimeve, por edhe certifikimet, në përputhje me standardet që zbatohen në sektorin e turizmit.

Qeveria miratoi në mbledhjen e saj të fundit, krijimin e Fondit të Sipërmarrjes Turistike, me vlerë të përgjithshme 30 milionë lekë, për periudhën 2017-2019. Vlera e fondit për secilin vit do të jetë 10 milionë lekë.

Sipas ekspertëve të Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve, (AIDA), fondi i sipërmarrjes turistike u jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë sipërmarrjeve të vogla, që operojnë në sektorin e turizmit.

Në varësi të projektit konkurrues, të përgatitur nga aplikantët, skema mbulon nga 60% deri në 80% të kostove të pranueshme dhe të miratuara, por jo më shumë se 1 milionë lekë.

Fondi i Sipërmarrjes Turistike, përveç fondeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare.

Nga Fondi i Sipërmarrjes Turistike përfitojnë sipërmarrjet që plotësojnë disa kushte: ndërmarrje të klasifikuara si mikro ose të vogla, kanë selinë ose vendin kryesor të ushtrimit të aktivitetit brenda territorit të vendit, si dhe ofrojnë shërbime turistike brenda vendit.

Po ashtu subjektet që duan të përfitojnë duhet të paraqesin një projekt-propozim ose planbiznesi duke demonstruar se aktivitetet e parashikuara për mbështetje nga Fondi i Sipërmarrjes Turistike janë të rëndësishme për zhvillimin e biznesit të tyre.

/businessmag.al

 

Rreth autorit

Kolegji Universum

Shënoni komentin tuaj