Organizohet konferenca për pronësinë intelektuale nën moton: “Inovacioni përmirëson cilësinë e jetës”

Inovacioni përmirëson cilësinë e jetës, krijon mundësi për shpikje të reja, që nxisin punësimin dhe sjellin zhvillim dhe jo më kot është zgjedhur si moto në ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale që festohet çdo 26 Prill. Kështu ka deklaruar Ministrja e zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në konferencën e zhvilluar ditën e djeshme, në Hotel Tirana, me temë “Inovacioni përmirëson cilësinë e jetës”, në kuadrin e Ditës Botërore të Pronësisë intelektuale.

Të pranishme në konferencë ishin dhe Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi dhe Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, znj. Milena Harito.

Në fjalën e saj Ministrja Ekonomi tha se nga viti i kaluar janë bërë shumë përmirësime në legjislacionin për pronësinë intelektuale. “Tashmë është miratuar strategjia kombëtare për pronësinë intelektuale dhe janë bërë disa ndryshime në ligjin për pronësinë industriale. Përsa i përket pronësisë industriale, sipërmarrja shqiptare po ndërgjegjësohet dhe po shtohen regjistrimet e markës “Made in Albania” për shumë produkte që nga agropërpunimi, industria tekstile dhe automobile,- tha Ministrja Ekonomi.

Ministrja theksoi dhe mundësinë që ka shteti përmes agjencisë AIDA, që idetë inovative të vihen në zbatim përmes fondeve mbështetëse për inovacionin dhe startup-et. Ajo gjithashtu foli dhe për inspektoriatin e tregut në varësi të MZHETTS i cili tashmë është kompletuar dhe ka nisur punën në terren për të garantuar zbatimin e ligjit të pronësisë intelektuale nga ana e subjekteve të ndryshme.

Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito, tha se zhvillimi i teknologjisë që po konsiderohet si revolucioni i katërt industrial ka sjellë një ndryshim radikal dhe në fushën e dijes. Dikur kjo fushë ishte vetëm në duart e pak njerëzve, ndërsa sot është në duart e gjysmës së botës ose 3 miliardë njerëzve që kanë internet.

Më tej, konferenca vijoi me informimin e pjesëmarrësve me situatën konkrete të bazës ligjore për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, për reformën në strategjinë e pronësisë intelektuale dhe diskutime të kësaj fushe.

/businessmag.al

Rreth autorit

Kolegji Universum

Shënoni komentin tuaj