Pak histori nga shpikja e supermarketeve

Kalimi nga mënyra tradicionale e tregtimit të një kategorie të caktuar mallrash, në një tregti moderne me një gamë më të madhe artikujsh, i detyrohet francezit Aristide Boucicaut, që për herë të parë hapi, më 1852 në Paris, Au Bon Marché.

Ai ishte i pari që ideoi hapësira të mëdha me një tipologji të shtuar të artikujve për shitje, duke shënuar kështu një revolucionarizim të konceptit të dyqaneve të specializuara. Në Au Bon Marché, çmimet ishin fikse, të ekspozuara në etiketa, e kishte gjithashtu edhe oferta, vende për t’u ulur dhe pushuar, dorëzime malli me porosi dhe korrespondencë.

Ne atë kohë, frekuentimi u bë një trend dhe aktivitet social i rëndësishëm, çka frymëzoi edhe mjeshtër të mëdhenj të penës për të shkruar disa prej veprave të njohura letrare të kohës.

Në vitin 1865, Boucicaut pati idenë brilante që mund të quhet edhe si pararendëse e marketingut të sotëm. Kështu, të enjteve, ditë në të cilat fëmijët nuk shkonin në shkollë dhe nënat qëndronin me ta, ai dilte dhe klientëve të shoqëruar me fëmijë u jepte figurina me imazhe të ndryshme, nën të cilat shkruante emrin e dyqanit, si dhe një njoftim për dalje të një produkti të ri ose ndonjë ofertë të re që do të aplikohej të enjten e ardhshme. Kështu, ai shihte se çdo të enjte numri i klientëve vinte gjithnjë në rritje.

Burimi:businessmag.al