Ndërmarrësia Ka të Bëjë Me Zgjidhjen e Problemeve, Jo me të Fiksuarit në to

Kush jeni ju dhe cili është biznesi juaj?

Harold Clarke, komisioner i pasurive të patundshme dhe pronar i Luxury Big Island by Harold Clarke.

Çfarë do të thotë fjala ‘’ndërmarrës’’ për ju?

Ndërmarrës për mua definohet si personi i cili ka energjinë për të krijuar një biznes. Një person mund të ketë shkathtësitë, kapitalin, njohuritë, por është energjia e cila realizon suksesin.

Cila ishte sfida juaj më e vështirë dhe si e tejkaluat atë?

Do të ishte më e lehtë t’i përgjigjesha  asaj se çfarë nuk është sfidë, për shkak se gjithçka tjetër është pjesë e një gare të ndërlikuar. Por nëse do duhej të zgjedhja një, sfida më e vështirë për mua si komisioner ishte depërtimi në zonat më të pasura të tregut tim. Zonat më të pasura në Big Island të Hawaii ekzistojnë brenda vendeve specifike. Kur së pari fillova karrierën time në pasuri të patundshme, ndjeva se kishte mure të padukshme në këto lokacione, të cilat dukeshin të pa depërtueshme. Shumë pak komisionerë kanë qasje në udhëheqjen e biznesit në këto zona të pasura, dhe nuk e dija se si të filloja të konkurroja me ata.

Kishte gjithashtu sfida pak më të lehta të cilat i tejkalova, si p.sh. frika se njerëzit nuk do më besonin në investimet e tyre për shkak se Anglishtja është gjuha ime e dytë. Ose fakti se isha i ri në këtë zonë ose sepse nuk e njihja askënd dhe nuk kisha para. Kur e kujtoj e kuptoj se gjithçka ishte e re për mua.

Cili ishte problemi i fundit që e keni zgjidhur?

Përmes punës së madhe dhe dedikimit, mund të them se problemet me të cilat jam përballur së fundmi janë zgjidhur. Si komisioner i pasurive të patundshme, emri im është i njohur në zona të pasura në Ishullin e Madh. Mirëpo, është e qartë se në këtë nivel është gjithmonë dikush më i uritur për të arritur në majë. Prandaj është i nevojshëm investimi i kohës, përpjekjeve dhe burimeve financiare. Me fjalë të tjera, duhet sakrificë për të qëndruar në majë. Duhet energji e vazhdueshme, e mbushur me motivim. Mund të them se çdo problem mund të zgjidhet aq gjatë sa ka kombinim të dëshirës dhe forcës për të qëndruar në majë.

Na trego për ndonjë moment definues në karrierën tënde.

Unë mora licensën time të pasurive të patundshme në vitin 2006 dhe në vitin 2008 kisha nderin të emërohesha si njëri prej 100 agjentëve më të mëdhenj në Revistën e Biznesit të Hawaii. 2008 ishte viti që tregu ra, ishte një moment i vështirë për të gjetur suksesin. Mirëpo, nuk e pashë këtë rënie si problem. Përderisa shumë komisionerë ankoheshin, unë vazhdova të ecja përpara. Unë qëllimisht vendosa të mos jem pjesë e kritikave të tregut ose të ankohesha për ekonominë. Nëse do e bëja këtë, do të zhdukesha nga ai pesimizëm, e cila do t’a bënte të pamundur që të kisha sukses.

Përshkruajeni qasjen tuaj ndaj zgjidhjes së problemeve.

Sado klishe që tingëllon, ëndrra Amerikane është gjallë. Vitet më të këqija të rënies janë ende më të mira se shumica e ekonomisë rreth botës.  Është e gjitha në sytë e shikuesit. Ndërmarrësia ka  të bëjë me zgjidhjen e problemeve, jo të fiksoheni në to. Është e nevojshme të kontrolloni stresin dhe frikën. Kjo më bën të mendoj se ka probleme ‘’negative’’ dhe probleme ‘’pozitive. Për shembull, hyrja në tregjet më të pasura për mua ishte një problem pozitiv, për shkak se shikimi im ishte i fiksuar në tregjet luksoze dhe përpjekjet e mia ishin të fokusuara aty. Një problem negativ do të ishte fokusimi i të mos pasurit burimet financiare për të pasur qasje në tregun luksoz, për shkak se do të krijoja arsyetime me të cilat do të dështoja.

Në çfarë tipari vareni më së shumti kur merrni vendime dhe pse është i dobishëm ai për ju?

Optimizmi. Unë gjithmonë bëj shaka kur them se pa shpresë nuk do të isha në gjendje të ngritesha nga shtrati. Ka shumë rrugë të cilat të dërgojnë në dekurajim dhe pesimizëm. Unë zgjedh të qëndroj optimist. Nëse një marrëveshje dështon, unë kthehem dhe bëj një plan të ri. E di që do të ishte e dëmshme që të qëndroja në një hapësirë të errët për shkak se do të krijonte një zingjir të gjatë të episodave të padëshiruara. Themeli i vendimeve të mia bazohet në optimizëm, një besim se gjithmonë do të ketë një mundësi për t’i bërë gjërat më mirë. Dhe, më e rëndësishmja, besimi se ne e meritojmë atë mundësi për çfarëdo arsye. Në rastin tim, do të dëshiroja të mendoja se e meritoj ate për shkak të vlerave të mia dhe sepse e jetoj jetën time me nder.

Si është zhvilluar stili juaj i udhëheqjes?

Unë kam një butik. Ne kemi një portofol të rëndësishëm të klientëve shumë të pasur dhe synimi im është që të gjithë në firmën time mund të ofrojnë shërbimet më të mira të mundshme ndaj një klienti të rëndësishëm. Prandaj unë mbaj një grup të ngushtë, ku mund të jem i qasshëm tek të gjithë përderisa i kushtoj vëmendje çdo detaji. Sigurisht, nuk mund të angazhohem në biseda të gjata ose në takime javore me të gjithë, por kam mësuar të jem i drejtë. Bisedat e vogla nuk ekzistojnë te ne, për shkak se jemi shumë më efikasë nëse jemi të drejtpërdrejtë. Unë e ndjej se të gjithë e vlerësojnë këtë për shkak se kursejnë kohën dhe rrisin efikasitetin.

A keni ndonjë thënje të cilën e përdorni si motivim personal?

Më kujtohet një nga transaksionet të cilat i kam bërë, një shitje 10 milion dollarëshe që prezanton edhe blerësin edhe shitësin. Një komisioner më tha diçka shumë të thjeshtë, ‘’Gjërat e mira u ndodhin njerëzve të mirë’’. Unë besoj fuqishëm në atë. ‘’Mos bëni hile, mos thuani gënjeshtra dhe mos vjedhni’’, është thënja ime e preferuar personale. Suksesi për mua është i lidhur, në nivelet më të thella, me atë se si ndiheni për veten.

/entrepreneur.com.al