Linguistic Landscaping: metodë e re në sociolingustikë për ta studiuar shumëgjuhësinë në Kosovë

Qëllimi i këtij shkrimit është për t’i njoftuar studentët e Universumit me metodën “Linguistic Landscape” në sociolinguistikë dhe se si kjo metodë na udhëzon t’i shikojmë politikat dhe praktikat gjuhësore brenda një vendi në bazë të dukshmërisë së gjuhëve zyrtare dhe jo-zyrtare në pamjën e qytetit. Shembujt do të merren nga studimi ime mbi “Linguistic landscaping” në të cilin tre vende në Prishtinë janë analizuar me qëllim që të shqyrtojë dukshmërinë e gjuhën Shqipe, Serbe dhe Angleze në kryeqytetin e Kosovës.

“Linguistic Landscape” është shfaqur si subdiciplinë relativisht e re brenda sociolinguistikës, e cila lulëzon qe nga viti 2006, kur është zhvilluar si një mënyrë për ta studiuar shumëgjuhësinë në shtete të ndryshme. Qasja metodologjike është përdorur për ta studiuar dinamikën e gjuhëve duke shqyrtuar dukshmërinë e tyre në zonat kozmopolite të Holandës nga Gorter (2006), të Izraelit (Ben Rafael et al 2006), të Japonisë (Bauckhaus 2006) dhe të shumë shteteve të tjera në botë. Në qytetet e Ballkanit, në anën tjetër, “linguistic landscape” si qasje metodologjike është përdorur vetëm nga Dimova (2004) për të matur dukshmërinë dhe përdorimin e Anglishtes në shenja të dyqaneve në Maqedoni.

Studimi im është i pari për të shqyrtuar dinamikën gjuhësore të Kosovës përmes metodës së “Linguistic Landscaping,” dhe prandaj, është unik në llojin e vet. Nëpërmjet “Linguistic landscaping,” analizohet bashkëveprimi i gjuhëve të shkruara në dukjen e qytetit. Me fjalë të tjera, në këtë studim unë analizoj se si ekspozohen gjuhët zyrtare të shkruara (p.sh. shenja të rrugëve, pllaka përkujtimore) dhe jo-zyrtare të shkruaja (p.sh. shenja të dyqaneve, restorante dhe kafene) në shenjat e qytetit. Në këtë mënyrë e shqyrtojë vitalitetin etnolinguistik (“ethnolinguistic vitality” në Anglisht) e një gjuhe (të Shqipës), ose dukshmërinë në pamjën e rrugës (street visibility) të një gjuhës tjetër (të Serbishtës dhe të Anglishtës). Për shembull, në Kosovë, gjuhët zyrtare janë gjuha Shqipe dhe gjuha Serbe. Duke i analizuar shenjat zyrtare të Prishtinës, ose shenjat “top down”, ne mund të deduktojmë marrëdhënien ndërmjet këtyre dy gjuhëve në bazë se sa herë secila gjuhë siperfaqësohet dhe si pozicionohet në shenja. Figura 1 është një shembull të një shenje të komunikacionit në Prishtinë, ku gjuha Shqipe dhe gjuha Serbe duhen të shfaqen zyrtarisht sipas ligjit. Këto shenja janë zyrtare, pra rregullohen nga ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Shenjë e komunikacionit

Figurë 1: Shenjë e komunikacionit (Nga: Demaj 2013)

Në metodën e “Linguistic Landscaping”, një system i cili quhet “street vitality score system” prej 1 deri 4 është përbëre për ta vlerësuar dukshmerinë e gjuhëve në mënyrë kuantitative. Nëse një shenjë i shfaq gjuhët njëlloj, atëherë kjo është një shenjë shumëgjuheshe ekuivalente (“multilingual equivalent sign”). Kështu është rasti në figurën 1, ku të dy gjuhët, Shqipe dhe Serbe, secila marrin vlerën 2. Por, nuk janë vetëm këto rezultatet e mundshme. Një shenjë mund të jetë jo-ekuivalente shumëgjuhëshe (“multilingual non-equivalent sign”). Kjo do të thotë se njëra nga gjuhët është dominuese, ndërsa tjetra është duke u dominuar. Në raste të tilla, rezultatet janë të ndarë në 3-1 për gjuhën dominuese. Një shenjë mund të ekspozon një gjuhë ekskluzivisht, rast në të cilin gjuha e shfaqur merr një vlerë 4. Pas shqyrtimit të secilës shenje në vendet e analizuara të qytetit, rezultatet konvertohën në numra relative për analizën krahasuese kuantitative. Në mënyrë të tillë, ne mund të masim dukshmërinë e gjuhëve në dispozicion në të gjitha shenjat e qytetit. Në Prishtinë, rezultatet tregojnë se gjuha Shqipe është më e dukshme dhe pas saj vjen gjuha Angleze. Gjuha Serbe, ne anën tjetër, siperfaqësohet ne shenja zyrtare, por më pak se sa gjuha Shqipe dhe Angleze.

Krahas shenjave “top down,” “Linguistic landscaping” merr parasysh shenjat “bottom – up” në qytet. Këto shenja nuk imponohen nga ligji, prandaj është interesante për të parë se si njerëzit aktual (në “linguistic landscaping” quhen “aktorë socialë”) i perdorin gjuhët në dyqanet apo restorantet e tyre. Në këto shenja jo-zyrtare, rezultatet tregojnë se gjuha Angleze është shumë e përfaqësuar. Statusi i Anglishtës në Prishtinë mund të emërohen brenda sociolinguistikes si “language fetishism” në disa raste (dmth. gjuha është përdorur vetëm për të tërhequr më shumë audiencë dhe klientelë në dyqane, sepse gjuha lidhet me ambientin perëndimor). Në këto raste, gjuha Angleze ka status simbolik, dhe nuk përdoret për të percjellur informata (sikur pershembull orarin e punës të dyqanit). Figura 2 reprezanton një përdorim të tillë të gjuhes Angleze: Ktu Anglishtja vetëm përdoret si gjuhë simbolike (“totally fun prices”) ndërsa gjuha Shqipe i përmban informatat rreth çmimeve dhe produkteve në shitje.

Tally Weijl

Figurë 2: Tally Weijl (nga: Demaj 2013)

Por, rezultatet të permbledhura nga metoda “Linguistic landscaping” në studimin tim tregojnë se gjuha Angleze ka edhe një funksion: perkatësisht, përdoret si gjuhë e dytë në Prishtinë për të përcjellë vlerën aktuale informative siç e shohim në figurën 3. Kjo shenjë tregon se ktu gjendet një orëndreqës edhe në gjuhën Angleze. Po ashtu, dyqani tregon orarin e punës dhe disa informata të tjera në gjuhën Angleze (Demaj 2013)

orëndreqës Anker

Figurë 3: Orëndreqës Anker (nga: Demaj 2013)

Megjithatë, hulumtimet kuantitative nuk mjaftojnë në mënyrë që të zbulojmë dinamikën gjuhësore të qytetit. Prandaj, kemi nevojë për të marrë në konsideratë edhe metodat kualitative të cilat i kontekstualizojnë rezultatet Brenda perspektives sociale, politike apo historike. Një observim kuantitativ, për shembull, është fakti se gjuha Serbe është bërë e padukshme nga disa Shqiptarë të Kosovës në figurën 2. Gorter (2006) e quan këtë fenomen “luftë simbolike për hapësirë” nga shqiptarët në Kosovë. Kjo do të thotë se, edhe pse rezultatet e studimit përforcojnë qartë se gjuha Serbe vetëm mban status zyrtar, pa kuptim jashtë kufijve të saj ligjore, ca Shqiptarë refuzojnë ta pranojnë këtë status duke e treguar grindjën e tyre ndaj gjuhës, kulturës dhe pranisë Serbe përmes grafiteve të ndryshme në qytet, siç tregon edhe figura 4.

Graffiti

Figurë 4: Graffiti (nga: Demaj 2013)

Natyrisht se kjo lidhet direkt me konfliktin në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila ofron një kontekst historik dhe aktual (“Blej Shqip”) për këtë vëzhgim. Qasjet tjera kualitative përfshijnë vëzhgimin e drejtshkrimit të gjuhës Serbe, përdorimin e dialektit Gegë në gjuhën Shqipe dhe lidhjen e këtij perdorimi me fenomenin “diglossia” në Kosovë. Po ashtu, studimi im vëzhgon marrëdhënien në mes ndërtesave dhe gjuhëve te shfaqura (sa më të reja ndërtesat, aq më shumë përfaqësohet gjuha Angleze).

Pëfundimisht, “Linguistic landscaping” si metodë kërkimore zbulon lidhjen ndërmjet politikës gjuhësore dhe realitetit gjuhësor të qytetit. Natyrisht se gjuha Shqipe është gjuha e parë në Prishtinë në shenja zyrtare dhe jo-zyrtare. Më tutje, metoda e “Linguistic landscape” konfirmon se gjuha Serbe nuk mban më shumë se sa vlerën zyrtare dhe se në realitet dhe në vendin e saj, gjuha Angleze e perfaqëson gjuhën e dytë të Kosovës dhe është duke u këmbëngulur shumë e më shume në kryeqytetin e Kosovës.

Uranela Demaj