7 Mënyra se si Puna e Madhe Largon Besimet Vetë Kufizuese

Shumica e gjërave të cilat i mendojmë çdo ditë janë të pavullnetshme dhe  të pamenaxhueshme. Kur mendimet tona nuk menaxhohen, ato janë pothuajse gjithmonë negative. Biseda me veten ka tendenca të jetë thellë e rrënjosur në ndjenjat dhe përvojat në të kaluarën. Kur ne reagojmë, dialogu ynë i brendshëm bëhet negativ dhe armiqësor.

Këto mendime mund të jenë sfiduese për t’u adresuar për shkak se ato nuk janë gjithmonë të dukshme kur i mendojmë; ato duken natyrale dhe të vërteta. Për këtë arsye, zhvillimi i vetëdijes tuaj dhe gatishmëria për të punuar shumë janë çelësat e suksesit tuaj. Më poshtë janë besimet kufizuese të cilat mund t’i largoni përmes punës.

  1. Nuk është koha e duhur.

Nuk është koha e duhur? Për çfarë? Puna dhe pasioni janë tani të pranishme. Nëse prisni, me shumë gjasa do të prisni përgjithmonë. Suksesi nuk do të vijë në derën tuaj, të hyjë,  të ju përqafojë dhe të ju bëjë të pasur pa përpjekjet tuaja. Nuk mund të arsyetoni vonimin e gjërave, vetëm nëse dëshironi të arsyetoni se pse nuk po shkoni drejt dëshirave tuaja. Nëse vendosni qëllime, nuk ka asnjë kohë si e tashmja. Filloni tani, dhe bëhuni të matur për angazhimin tuaj, edhe nëse është një hap i vogël pozitiv. Merrni atë hap të vogël, pastaj tjetrin e tjetrin me radhë. Në realitet nuk ka ‘’kohë të duhur’’ ka vetëm ‘’kohë  tuaj’’. Koha juaj duhet të jetë tani. Punoni shumë, dhe vlera juaj do të dëshmohet. Të presësh për momentin e përsosur për të filluar, nuk është asgjë më shumë se frikë. Mbani në mendje se koha është e vlefshme, dhe nuk është diçka të cilën mund t’a ktheni.

  1. Nuk kam kohë të mjaftueshme.

Mund të keni gjithçka, nëse e doni me të vërtetë. Ne të gjithë kemi 24 orë në ditë. Ju vendosni vetë se çfarë bëni në ato ore. Kur doni diçka, pa marrë parasysh se çfarë është, nëse është mjaftueshëm e rëndësishme, do të gjeni kohën e nevojshme për të.

Sa më pozitivisht që të mendoni dhe se sa në gjendje të jeni të punoni aq më shumë sukses do të keni. Puna e madhe është ajo që i dallon të suksesshmit dhe jo të suksesshmit, aktivin nga pasivin, dhe ëndërrimtarin nga bërësin. Kur besoni se nuk keni kohë, është vetëm një arsyetim i bazuar në frikë i cili ju ndalon. Mendimet janë të fuqishme, por kur punoni shumë për atë që e dëshironi, ajo punë e madhe do të largojë besimet e rrejshme të cilat ju bëjnë të mendoni se nuk keni kohë të mjaftueshme.

  1. Jam shum i ri ose shumë i vjetër.

Mosha është vetëm një numër, dhe nuk reflekton në nivelin tuaj të shkathtësisë, në gatishmërinë për të mësuar, për të punuar shumë, dhe për të qenë pasionant ose në nivelin tuaj të talentit. Mosha nuk ju definon. Ka ndërmarrës të suksesshëm nga secili grup i moshave. Perceptimi juaj i moshës është psikologjik; prandaj, mos lejoni që ndonjë ide e regjistruar e moshës të ju ndalojë nga ndjekja e qëllimeve tua.

Bëni çfarë të mundeni, mos lejoni që frika rreth moshës tuaj të ju dalë në rrugë. Filloni të punoni shumë, dhe lejoni që rezultatet e suksesit tuaj të flasin. Rezultatet tuaja, jo mosha, do të jenë ato që do ju bëjnë të dalloheni.

  1. Nuk jam mjaftueshëm i zgjuar.

Puna e madhe merr më shumë rezultate se sa marrin gjenitë e papunë. Në ndonjë pikë, gjenitë dhe puna e madhe balancohen kur puna juaj, arsimimi, trajnimi etj. ju vendosin në të njëjtin nivel të aftësive si çdo gjeni. Informacioni mund të ketë ardhur më lehtë për gjeniun, por ku dështimet ndodhin, gjeniu do të ndihet se ka ndonjë të metë në aftësinë e tij; përderisa ju, që keni punuar shumë, thjeshtë do të besoni se nuk keni bërë maksimumin, dhe do të vazhdoni të punoni më shumë. Gjeniu shpesh dorëzohet. Kualifikimi juaj më i mirë zbret në thellësinë e pasionit tuaj dhe në cilësinë e punës  tuaj. Nëse doni atë që bëni, duhet të keni aftësitë për t’a bërë atë, dhe të punoni shumë, pastaj suksesi që arrini do të flasë vetë.

  1. Nuk i kam paratë e nevojshme.

Ne të gjithë kemi fatura, borxhe, shpenzime dhe disa nuk kanë shumë kursime; mirëpo, kjo nuk duhet të ju ndalojë nga realizimi i ëndrrave tuaja. Në vend se t’i shikoni paratë si burim të cilin nuk e keni, bëhuni kreativ në rritjen e parave që keni, dhe bëjeni të funksionojë. Ose, a jeni në gjendje të bëni çfarëdo që duhet për të marrë financat që ju duhen, edhe nëse kjo do të thotë të merrni hua ose një punë të dytë? Ka shumë njerëz të cilët kanë  filluar nga zero. Njerëzit të cilët e bëjnë këtë, që fillojnë nga e para, punojnë shumë dhe bëjnë çfarëdo që duhet për të arritur qëllimet e tyre.

  1. Njerëzit do më gjykojnë.

Njerëzit do ju gjykojnë, në rregull, çfarë tash? Njerëzit gjithmonë gjykojnë, dhe sa më shumë që të dalloheni nga të tjerët, aq më shumë do ju gjykojnë. Është siç është.

A është e vështirë të jeni ndryshe? Po, por nuk mund të frikësoheni që të veproni në të mirë të asaj që dëshironi t’a arrini në jetën tuaj. Mos provoni të përshtateni; nëse ndiqni turmën me siguri që do të humbisni në të. Pranoni që jeni ndryshe dhe të pagabueshëm. Ata  të cilët ju gjykojnë do ta kuptojnë më vonë. Ata do të jenë dëshmitarë të suksesit tuaj dhe do të heshtin.

Fakt: Nëse njerëzit ju gjykojnë, ju me siguri  po bëni gjënë e duhur.

  1. Nuk jam në vend të mirë.

Jeta është përplot me stuhi. Nuk mund të planifikoni përpjekjet tuaja për të nisur ose për të vazhduar diçka duke u bazuar se a jeni në vend të mirë apo jo. Ka një gjë për stuhitë, ato kalojnë. Gjëja më e rëndësishme, mos lejoni që stuhitë të ndalojnë përparimin tuaj. Nëse një stuhi vjen, bëni gjithçka që të mësoni nga ajo; për të marrë mësimin. Kalimi i stuhive është i rëndësishëm për zhvillimin e maturisë dhe elasticitetit tuaj.

Vështirësitë ju ndihmojnë të pranoni dhe të kuptoni arsyet se pse po bëni ato që jeni duke bërë. Më  tutje, nuk ka asgjë më lehtësuese, në kohëra të pasigurisë,  se sa të keni trupin dhe shpirtin tuaj në atë fokus. Pranoni rrethanat tuaja  të momentit, por mbani në mend se e ardhmja juaj do të jetë sipas pëlqimeve dhe preferencave tuaja.

Përderisa fokusoheni, punoni shumë, dhe qëndroni të angazhuar, do t’a shihni se do të tejkaloni të gjitha besimet kufizuese të cilat i mbani për veten. Dërdëllitjet negative në mendjen tuaj janë të bazuara në frikë dhe besime; nuk jeni ai që mendoni, nuk jeni ai që thoni, ju jeni ai që bëni. Rezultatet e punës tuaj do të reflektojnë mospërputhjen në mes të asaj që jeni në gjendje të bëni, të jeni dhe të keni nga ato mendime negative dhe të padobishme të cilat ju thonë se nuk jeni në gjendje të keni suksesin që e dëshironi. Përdorni këto mendime disfatiste si motivim  për t’u dëshmuar atyre se janë gabim. Jeta juaj do të jetë aq e suksesshme dhe e lumtur sa nivelet në të cilat jeni të gatshëm të punoni.

/entrepreneur.com.al